Si funksionon

Na kontakto

Nëse nuk gjeni këtu përgjigjen e kërkuar, ose nëse dëshironi të na bëni të ditur diçka lidhur me faqen DuaInfo, ju lutemi na kontaktoni.

Çfarë është DuaInfo

DuaInfo.org është një platformë elektronike dhe shërben si urë lidhëse mes autoriteteve qeverisëse dhe qytetarëve, duke përdorur postën elektronike si formë korrespondence, sipas ligjit në fuqi për të Drejtën e Informimit.

Nëpërmjet kësaj platforme, qytetarët kanë mundësi të kërkojnë të Drejtën e tyre për Informim, pa qenë e nevojshme të shfletojnë në çdo institucion apo autoritet publik veçmas. DuaInfo përmbledh të gjitha institucionet dhe autoritetet publike, me kontaktet përkatëse dhe adresat e tyre elektronike për të Drejtën e Informimit. Këtu qytetarët kanë mundësi të mësojnë më shumë rreth të drejtës së tyre për të marrë informacion nga autoritetet, të cilat janë vendosur për t’i shërbyer interesave të këtyre qytetarëve. Qytetarët kanë të drejtë për transparencë të plotë të fondeve publike dhe përdorimit të tyre dhe aktivitetit të autoriteteve publike, në përgjithësi. Kjo faqe ju mundëson pikërisht kontaktin me institucionin apo autoritetin përkatës, për të cilin qytetari ka interes të dijë më shumë për çështje të ndryshme.

Në këtë mënyrë, qytetarët kanë mundësi jo vetëm të bëjnë kërkesa duke hapur një llogari elektronike në faqen DuaInfo, por gjithashtu edhe të marrin ndihmën e nevojshme për bërjen e kërkesave ndaj institucioneve përkatëse, si dhe hapat që duhen ndjekur në rast refuzimi apo vonese.

Për më tepër, DuaInfo është një faqe interaktive, ku qytetarët mund të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin për të marrë informacionin e dëshiruar. Meqënëse të gjitha kërkesat ruhen në faqe, çdo qytetar ka mundësi të ndjekë shembullin e një përdoruesi tjetër, ose të aksesojë menjëherë informacionin e marrë në përgjigje, pa qenë e nevojshme për një kërkesë të dytë.

Për më shumë, referojuni gjithashtu kategorisë Kërkesat - Si bëhen, si proçesohen.