Si funksionon

Na kontakto

Nëse nuk gjeni këtu përgjigjen e kërkuar, ose nëse dëshironi të na bëni të ditur diçka lidhur me faqen DuaInfo, ju lutemi na kontaktoni.

Rreth DuaInfo #

DuaInfo.org është një iniciativë e Lëvizjes MJAFT! mbështetur nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. Ky projekt vjen në vazhdimësi të përpjekjeve disa vjeçare për hartimin dhe zbatimin e ligjit të të Drejtës së Informimit dhe Pjesmarrjes Publike në vendim-marrje, duke u përkrahur nga institucionet publike dhe duke u përdorur rregullisht nga qytetarët, organizatat, media dhe palë të tjera të interesuara.

Në kuadër të iniciativës së Partneritetit për një Qeveri të hapur (Open Government Partnership- OPG), ku qeveria shqiptare aderon që prej 2011-s, DuaInfo do të fokusohet në monitorimin dhe kërkimin rigoroz të ligjit, të amenduar së fundmi, për të Drejtën e Informimit (për më tepër, kliko këtu) dhe ligjit për Njoftim dhe Konsultim Publik (për më tepër, kliko këtu).

Qëllimi i kësaj iniciative është i dyanshëm. Nga njëra anë, kërkon demokratizimin e mëtejshëm dhe rritjen e lirisë së shprehjes në Shqipëri, duke kërkuar transparencë nga institucionet publike. Nga ana tjetër, kërkon pjesmarrjen e gjerë të publikut për të kuptuar sesi funksionojnë institucionet publike, si janë shpenzuar fondet publike, të cilat vijnë si rrjedhojë e taksave të këtij publiku. është e dreja e çdo qytetari të kërkojë llogari lidhur me proceset që ndërmerren në çdo institucion publik, dhe sipas ligjit për të Drejtën e Informimit, çdo autoritet (institucion) publik ka detyrimin t’i përgjigjet kërkesave të ardhura nga qytetarët. Pikërisht, kjo është edhe pika kyçe e kësaj iniciative: angazhimi qytetar dhe përgjegjshmëria institucionale.

Para amendimit, ky ligj ishte subjekt interpretimi nga zyrtarët publik, me mangësi që lejonin justifikimin për refuzim apo vonesa tepër të gjata. Për këtë arsye, ligji për të Drejtën e Informimit u amendua në Shtator të vitit 2015. Ligjet aktuale në fuqi që përcakotjnë të drejtën për informim kundrejt institucioneve publike kanë pësuar një përmirësim radikal nga ligjet e mëparshme të vitit 1999.

Megjithëse, legjislatura aktuale është përmirësuar, kjo nuk do të thotë që zbatimi i saj ka qenë me të njëjtat standarde. Nëpërmjet duainfo.org qytetarët dhe vetë Lëvizja MJAFT! do të monitorojnë sa të zbatueshme janë ligjet lidhur me të drejtën për informim, sipas të gjitha kushteve të parashtruara në këto ligje, si dhe do t’u japë mundësinë qytetarëve të bëhen pjesë aktive në vënien para përgjegjësive të autoriteteve publike lidhur me fondet e administruara prej tyre dhe realizimin e planeve të parashikuara në buxhetin shtetëror/vendor dhe më shumë.